Secondary Adv

Rishpërndarja e dobët e taksave, suficiti buxhetor arrin 550 mln euro në 4-mujor

Financat publike të Shqipërisë kanë regjistruar një suficit buxhetor rekord në katërmujorin e parë të vitit 2026, por një pjesë e madhe e tij lidhet me mosrealizimin e investimeve dhe shpenzimeve publike të planifikuara.

Sipas të dhënave fiskale për periudhën janar-prill 2026, suficiti buxhetor arriti në 54 miliardë lekë, ose rreth 550 milionë euro.

 

Kjo vlerë rezulton 86 për qind më e lartë se plani i periudhës dhe 42 për qind më e madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur suficiti kishte qenë rreth 38 miliardë lekë.

 

Në rritjen e suficitit ndikuan si të ardhurat më të larta se parashikimi, ashtu edhe mosrealizimi i shpenzimeve sipas programit buxhetor.

 

Sipas të dhënave, të ardhurat mbi plan kontribuan me rreth 13.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet publike të parealizuara sollën një diferencë prej 11.4 miliardë lekësh.

 

Pjesa më e madhe e suficitit vjen nga investimet e pambyllura

Ekspertët vlerësojnë se suficiti buxhetor nuk është domosdoshmërisht një tregues pozitiv në çdo rast.

 

Nëse ai krijohet nga rritja natyrshme e ekonomisë dhe administrimi më i mirë fiskal, konsiderohet një element stabiliteti për financat publike. Por kur suficiti vjen nga mosrealizimi i investimeve publike, ai mund të përkthehet në kosto të fshehura për ekonominë.

 

Në rastin e Shqipërisë, një pjesë e konsiderueshme e suficitit lidhet me vonesat apo mosrealizimin e projekteve kapitale, përfshirë investimet në rrugë, shkolla, spitale dhe projekte digjitale.

 

Kjo situatë ndikon negativisht në rritjen ekonomike afatgjatë dhe në cilësinë e shërbimeve publike për qytetarët.

 

Probleme në rishpërndarjen e të ardhurave

Sipas analizës, niveli i lartë i suficitit reflekton edhe probleme në mënyrën se si shpërndahen të ardhurat publike.

Në një kohë kur rreth 43 për qind e popullsisë konsiderohet në rrezik varfërie, suficiti i lartë interpretohet si tregues i një rishpërndarjeje të dobët të fondeve publike.

 

Analiza argumenton se shteti ose po mbledh më shumë të ardhura nga segmente të caktuara të ekonomisë, ose nuk po arrin t’i rikthejë ato në ekonomi përmes investimeve dhe shërbimeve publike.

 

Kjo situatë bëhet edhe më paradoksale duke pasur parasysh se Shqipëria vijon të ketë një nga nivelet më të ulëta të mbledhjes së të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto krahasuar me rajonin.

 

Pikëpyetje për eficiencën e investimeve

Problemet në realizimin e investimeve shoqërohen edhe me debatet mbi eficiencën e përdorimit të fondeve publike.

Hetimet e SPAK për projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë inceneratorët, kontratat PPP dhe projekte të tjera publike, kanë ngritur dyshime për abuzime dhe fryrje kostosh.

 

Sipas analizës, një pjesë e investimeve të realizuara nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme, ndërsa disa objekte të financuara me miliona euro nuk janë funksionale.

 

Po ashtu, një pjesë e infrastrukturës rrugore të ndërtuar vitet e fundit po kërkon fonde shtesë për riparime dhe mirëmbajtje, vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve.

 

Në këtë kontekst, ekspertët theksojnë se një suficit buxhetor i qëndrueshëm duhet të vijë nga rritja ekonomike dhe administrimi efikas, jo nga kursimi i investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë të vendit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat